
Deficit të hekurit, epidemi
apo një sëmundje serioze?
Deficiti i hekurit dhe anemia e shkaktuar nga
mungesa e hekurit dëmtojnë aktivitetet trupore duke shkaktuar lodhje dhe
letargji, zvoglojnë aftësitë punuese, zvoglojnë rezistencën ndaj infeksioneve të
ndryshme. Disa raste kritike të anemisë të shkaktuara nga mungesa e hekurit mund
të shkaktojnë vdekjen e fëmijës dhe nënës. Shkaktarë më të shpeshtë të deficitit
të hekurit në radhë të parë është ushqimi joadekuat, pastaj humbja e madhe e
gjakut, pamundësia e reprodukimit të hemoglobinës, inhibitorët e ndryshëm që
bëjnë apsorbimin e hekurit (fosfatet). Për shkak të kërkesave të veçanta të
hekurit, gratë shtatëzëna, fëmijët, personat mbi 55 vite, vegjetarianët
konsiderohen si grupet më kritike, gjegjësisht grupa që është më e ndjeshme në
deficitin e hekurit dhe anemisë që e shkakton ky deficit.
Si shkaktohet deficiti i hekurit dhe anemia?
Hekuri është element kyç për transportin e oksigjenit, rritje dhe zhvillimin e
qelizave si dhe proceset tjera biokimike, mirëpo po ashtu është dhe toksinë
potenciale. Kur në organizëm nuk ka hekur të mjaftueshëm, membrana qelizore rrit
apsorbimin e hekurit, dhe e kundërta, kur në organizëm ka hekur të mjaftueshëm,
membrana inhibon apsorbimin e saj. Kur tregohet kërkesa për hekur si tek
shtatëzënat, apo gjatë humbjes së gjakut, hekuri harxhohet nga rezervat. Pastaj
kur vjen koha që këto rezerva të mbushen, rritet apsorbimi, kështu organizmi
nëse burimet ushqimore janë adekuate, zëvendëson rezervat e humbura.
Nëse burimet e hekurit nuk janë adekuat vjen deri te deficiti i hekurit dhe
anemia e cila është rezultat i deficitit. Deri te deficiti i hekurit vjen kur
rezervat e hekurit janë aq të ulta sa që ngadalsohet reprodukimi i hemoglobinës,
por koncentracioni i mbetet stabil. Kur rezervat janë aq të pakta për shkak të
reprodukimit të pamjaftueshëm të hemoglobinës, vjen deri te rënja e koncentrimit
të hemoglobinës dhe pason anemia.
|